Tiranë, vajza prej dy ditësh në gjendje kritike, babai i Xhesikës: I ranë tullat

28 Nëntor 2019, 13:08

Një prej të plagosurave rëndë nga tërmeti i dy ditëve më parë, është edhe Xhesika Biqiku. Kjo e fundit vijon të jetë në gjendje kome për shkak të dëmtimeve të shumta të marra në kokë. Në një lidhje telefonike për Report Tv, babai i Xhesikës 20-vjeçare, Ilia Biqiku ka rrëfyer edhe tmerrin që përjetoi ai dhe familja e tij ditën e tërmetit.

Mes lotësh që kuptohen nga zëri i tij, Biqiku është shprehur se në pallatin e tij në Kombinat u ndjenë shumë lëkundje dhe menjëherë ai ka marrë familjen dhe i ka nxjerrë jashtë. Por në panik e sipër, Ili tregon se ishte penguar duke rënë rreth tre metra larg nga familja e tij. Kështu i ishte shkëputur nga dora vajza 20-vjeçare, Xhesika të cilës i ishin shembur tullat e pallatit mbi trup. Nën rrënoja mbeti edhe vajza tjetër e Ilias së bashku me bashkëshorten e tij. Por këto dy të fundit kanë marrë plagë më të lehta.  Sipas rrëfimit të Ilias, vajza e tij 20-vjeçare, është në gjendje shumë të rëndë.

"Xhesika është shumë rëndë, Është në reanimacioni. Dje kanë ardhur katër mjekë italianë. Një djalë u nis drejt Italisë, për tu nisur ishte edhe emri i gocës time, por nuk u nis. Po i qëndrojnë aty. Ranë tullat e katit të 5 në kombinat. Xhesi do të kishte shpëtuar, po të mos isha penguar unë. Tullat u kishin rënë sipër. U thash ku jeni mo babë? Ata më thanë se na kanë zënë tullat. Xhesika ka dëmtime në kokë. Na kanë thënë se ka dëmtime në tru dhe ka çarje nga llamarina. U thash çojeni në Itali. Kisha thënë të kisha vdek unë më mirë. Është gocë e re është 20-vjeçe. Pallati është i pabanueshëm, i ka vënë shirit bashkia. Është ndërtuar në 72. Kërkoj që të shkojë goca në Itali të shërohet dhe të gjej një banesë, unë flej në spital. Më zë gjaku nuk hy dot ta shoh." tha Ilia Biqiku.