Kontrabandonin mallra, arrestohen dy punonjës e shpallen në kërkim pronari e menaxheri i firmës

23 Shtator 2020, 12:10 | Përditesimi i fundit: 2020-09-23 12:34:53

TIRANË- Policia ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, për falsifikimin e dokumenteve dhe kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Të arrestuarit janë 25 vjeçari me iniciale R. O. dhe 33 vjeçari me iniciale L.R., ekonomisti i firmës Nargjile, i dënuar më parë për krijimin e skemave mashtruese me qëllim përfitimin e Tvsh, të dy banues në Tiranë. Si dhe u shpallën në kërkim administratori, pronari i subjektit Nargjile me iniciale S.J dhe menaxheri i firmës me iniciale A. D. Arrestimi i tyre u bë pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë të shpallur në kërkim kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”. Në cilësinë e provës materiale u sekustruan 1 automjet, i marrë me qira nga një kompani private me qëllim kamoflimin e aktivitetit, 23 bidona dhe 4 fuçi me esencë për nargjile, 493 kova me stampa të ndryshme të mbushura me lëndën që përdoret për nargjilen, 1 peshore elektronike, 2 aparat celular dhe sende të tjera. Këto produkte dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë, duke shmangur tërësisht regjimin dhe detyrimin doganor. Nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, ata i janë shmangur detyrimeve doganore, duke konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, për veprime të mëtejshme.