Një 39-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e policisë pasi është autor i dyshuar i vjedhjes së 8 automjeteve përgjatë vitit 2020. Policia ka zbardhur 8 raste të vjedhjes së këtyre makinave nga ana e 39-vjeçarit Mirdash Osmani.
Më konkretisht bëhet fjalë për disa vjedhje të regjistruara në kryeqytet më 2 shkurt, 27 maj, 29 qershor, 18 gusht, 10 tetor, 16 tetor dhe 24 dhjetor. Po ashtu, Osmani tentoi vjedhjen e një tjetër automjeti në datën 5 janar të këtij viti.
Nga provat e siguruara ka rezultuar se ai studionte vendet dhe mjetet që vidhte, vepronte në orët e vona të natës, duke krijuar kushte dhe duke ndërprerë ndriçimin elektrik të vendeve ku ishin parkuar këto automjete.
Po nga hetimet dyshohet se ky shtetas, makinat e vjedhura i çmontonte për t’i shitur për pjesë këmbimi. Mirdash Osamani nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj personit.
Mirdash Osmani ka porositur një vrasje, për arsye hakmarrjeje. Në 10 nëntor 2014, ka porositur për të kryer vrasjen e një 20-vjeçari, dy persona të tjerë, vrasje kjo e mbetur në tentativë. Osmani njihet nga policia e Bulqizës pasi më herët është arrestuar për një plagosje, gjatë të cilës ka mbetur i plagosur edhe vetë. Ai ka qenë i arrestuar më parë, por ka mundur t’i shpëtoj drejtësisë.
Vepra penale e vjedhjes vijon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm për policinë. Përveç vjedhjes së automjeteve, të cilat janë në fokus kryesor, nuk mbeten pas edhe banesat, bizneset, apo biçikletat. Burime nga Policia e Tiranës thonë se shifrat janë në ulje, por kjo e ndikuar vetëm për shkak të pandemisë dhe pranisë më të madhe të njerëzve nëpër banesa.
Kryesisht, hajdutët e biçikletave kanë shënuar rritje, ndërsa në çdo ditë kalendarike mbërrijnë dhjetëra denoncime në polici. Në pjesën më të madhe të rasteve, theksojnë burimet, vjedhja bëhet me maska të thjeshta, duke përfituara sërish nga periudha e pandemisë.
