Tiranës nuk i mjafton Ngoo, Kukësi fiton për herë të dytë në histori Kupën e Shqipërisë

3 Qershor 2019, 07:33

Kukësi është fituesi i Kupës së Shqipërisë për sezonin 2018-2019. Skuadra verilindore në finalen e zhvilluar në ‘Elbasan Arena’ ka mposhtur me rezultatin 2-1 Tiranën, ekipin që ka fituar më shumë se kushdo këtë trofe, plot 16 herë.

Verilindorët, të cilët këtë sezon e mbyllën në vendin e dytë, këtë takim e nisën si dominues, duke treguar qartë se kishin hyrë në fushë për fitore. Dhe sigurisht goli nuk vonoj, pasi që në minutën e 4 Vasil Shkurtaj zhbllokoi shifrat. Në minutat në vijim Kukësi tregoi supermaci, por nuk arriti që të dyfishonte.

Me fillimin e pjesës së dytë skuadrat ishin të barabarta në fushë dhe në minutën e 67 sulmuesi britanik i Tiranës majkëll Ngoo, i ndihmuar edhe nga një devijim, barazoi përkohësisht shifrat. Gjithsesi avantazhi nuk do të zgjaste shumë pasi Kukësi rimori epërsinë pas një aksioni model të konkretizuar nga Rexhinaldo.

Në pjesën e mbetur të lojës Tirana bëri pak për t’i dhënë një tjetër udhë finales dhe pas vërshëllimës së arbitrit në Elbasan shpërtheu festa. Së bashku me futbollistët në fushën e lojës festuan edhe tifozët e Kukësit, të cilët kapërcyen gardhin rrethues për të takuar idhujt e tyre. Ky ishte trofeu i dytë i Kupës së historinë e Kukësit, ndërsa Tirana nuk humbi vetëm sfidën, por edhe mundësinë e fundit për të siguruar pjesmarrjen në Kupat e Europës.