TIRANE-Shkolla “Sabaudin Gabrani 1” në njësinë nr. 7 është drejt përfundimit të rikonstruksionit dhe me datë 16 shtator do të hap dyert për 1100 nxënës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndërsa inspektoi punimet e kryera dha lajmin se fëmijët do ta nisin vitin e ri shkollor 2019-2020 pranë shkollës së tyre dhe me kushte komode.
“Jam sot shumë entuziast që një pjesë e madhe e kolegëve kanë kaluar gjithë gushtin duke i qëndruar punës te koka, që në 16 shtator, jo vetëm kjo shkollë, por disa shkolla në Tiranë të jenë totalisht si të reja. Është një shkollë që i ka dhuruar shumë Tiranës, shumë nxënës, shumë talente, shumë energji pozitive për gjithë komunitetin e Njësisë 7 në rrugën kryesore, në Unazë të Tiranës. Them që e meritonte shkolla një trajtim të tillë. Dhe besoj që duke hequr nga lista një tjetër shkollë që është rikonstruktuar totalisht, na jep mundësi pastaj që të vijojmë të shkojmë në periferi”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
