Titull dhe Champions, sonte pritet spektakël në Inter-Roma

6 Dhjetor 2019, 14:03

Titull dhe Champions. Inter-Roma “ndez” Serinë A. Në “San Siro” pritet “luftë” në ndeshjen e parë të javës së 15-të në pritje edhe te sfidës së të shtunës Lazio-Juve. Interi kryeson me 37 pikë dhe do kërkojë të mos e humbasë këtë pozicionim.

Zikaltërit janë në emergjencë në mesfushë pasi mungojnë për shkak dëmtimesh Barella, Sensi e Gagliardini. Conte është i detyruar me zgjedhjet dhe titullarë priten Brozovic,Vecino e Borja Valero.Pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion ndërsa trajneri në konferencë ka thënë se niveli i vështirësisë është i madh:” Përballemi me një skuadër që po kalon një moment të mirë. Duhet të japim maksimumin deri në pushimin e Krishtlindjeve dhe më pas do marrim pak frymë”.

 Roma është në formë dhe objektivi kryesor është zona Champions. Cristante, Pastore dhe Kluivert mungojnë për shkak dëmtimesh ndërsa rikthehet Zaniolo por në dyshim është edhe sulmuesi kryesor Edin Dzeko që ka kaluar një gjëndje gripale. Tekniku Fonseca kërkon nga ekipi i tij që të ketë kurajo ndaj zikaltërve  duke i cilësuar të fortë por nënvizon se edhe Roma e tij është në një moment të mirë. Inter-Roma sonte duke nisur nga ora 20:45 premton spektakël./Përgatiti Andi Kapxhiu