Tjetër shpërblim në horizont për Tiranën, Veliaj: Po kaluan Crvena Zvezdën e meritojnë, do ishte historike

20 Gusht 2020, 15:02 | Përditesimi i fundit: 2020-08-20 15:15:33

380 mijë eurot nga UEFA për kalimin e turit të parë eliminator në Champions League mund të mos jenë shpërblimi i vetëm për Tiranën, ekipin kampion të Superligës.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, teksa ishtë në Farkë ku inauguroi një palestër të një shkollë 9-vjeçare tha se mund të ketë një tjetër shpërblim për skuadrën e futbollit të Tiranës.

Më herët bashkia miratoi një shpërblim 150 milionë lekësh të vjetër për Tiranën për fitimin e titullit kampion. “Shpërblyem me 150 milionë lekë ekipin e Tiranës, kalon së shpejti në Këshill Bashkiak. Po fituan edhe me Crvena Zvezda-n do miratojmë edhe një bonus tjetër sepse do të ishte historike. Përtej rivaliteteve që kemi, Farka, Tirana, Dinamo, Partizani, nëse një ekip shqiptar ecën lart duhet mbështetur,”- u shpreh Veliaj.

Për inaugurimin e palestrës, që mund të përdoret edhe për ekipin e volejbollit Farka Volley, Veliaj u shpreh: “Është një investim jo vetëm për shkollën, por edhe me standarde për ekipin, i cili e meriton pasi sjell kupa dhe çmime për qytetin”.