Toma: Rritja e çmimeve të maskave dhe dorezave jo nga farmacitë, por furnizuesit!

16 Mars 2020, 10:29 | Përditesimi i fundit: 2020-03-16 13:05:03

TIRANË- Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma ka sqaruar se rritja e çmimeve të dorezave dhe të maskave nuk ka ardhur nga farmacitë, por nga furnitorët dhe tregu i zi. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Toma shprehet se duke qenë se për këto dy produkte nuk ka pasur një kërkesë të madhe në treg më parë, farmacitë janë gjetur "të papërgatitura" për këtë fluks të menjëhershëm dhe pritet në ditët në vijim furnizimi, por nuk dha një afat kohor konkret. "Realisht kemi hasur vështirësi në furnizim, por na është bërë me dije që po bëhen përpjekje për të na furnizuar. Nuk është në dorën e farmacistit rritje e çmimeve, por nga ato biznese që e kanë në tagër për produktet farmaceutike. Sa i takon barnave ka furnizim. Maska dhe alkool ka një kërkesë të shtuar, mund të jetë edhe nga paniku, por edhe për faktin se janë produkte që në përditshmen e qytetarit nuk ka pasur kërkesë. Planifikimet nuk kanë qenë të këtyre përmasave. Nuk është farmacia që përcakton çmimet, por janë shpërndarësit, që gjenden dhe në faturën tatimore dhe mbi këtë çmim vendoset çmimi i tregtimit nga pakicat. Nuk klasifikohen si barna, për aq kohë sa gjenden në supermakete. Origjina e rritjes së çmimeve nuk është në duart e farmacistëve", tha Toma.Ajo ka pasur edhe një apel për qeverinë, që në këto ditë të jashtëzakonshme të jetë më e mirëkuptueshme dhe të mos penalizojnë farmacitë për "vogëlsira". "Farmacitë janë të ndërgjegjësuar për detyrën dhe tolerancën që duhet të tregojnë. Por ju lutem në situatë anormalitet me gjithçka të mos kapen me vogëlsira. Është penalizuar një faturë në Durrës pse nuk është futur produkti në qese, të mendojnë që dhe farmacistët janë njerëz", tha Toma.