Tomini: Nuk do kemi verë normale, vjeshta rikthen infeksionet

2 Prill 2020, 14:17 | Përditesimi i fundit: 2020-04-02 16:04:59

TIRANË - Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se piku i situatës me koronavirusin në Shqipëri mund të jetë java e tretë e prillit, sipas të gjitha pritshmërive, megjithatë gjithçka mbetet për t'u parë. Në një komunikim me Skype me Report Tv, tha se masat e marra kufizuese dhe izoluese të qytetarëve në shtëpi, kanë frenuar përhapjen e infeksionit në komunitet.

Por një tjetër faktorë që në më shumë se tre javë nga identifikimi i të prekurit të parë me COVID-19, Shqipëria nuk po rrit frikshëm numrin e të infektuarve siç po ndodh me Italinë fqinje apo edhe së fundit Spanjën, lidhet me popullatën e re. Tomini tha gjatë intervistës me gazetaren Aida Tancica, se në shtetet ku pandemia COVID ka gjunjëzuar popujt me numër të lartë viktimash e të infektuarish, edhe popullatat janë të vjetra. Ndërsa në Shqipëri, për shkak të moshës së re, shumë qytetarë mund të jenë duke e kaluar koronavirusin pa simptoma klinike."Trendi linear është në vijimësi dhe pritet që në javët në vijim të kemi të njëjtën trend, me një pikë në javën e tretë të prillit, por gjithsesi është gjithçka për t'u parë.  Janë duke u vlerësuar skedat epidemiologjike të atyre që kanë shenja dhe ata pa simptoma, është situatë e pritshme për një pandemi. Kemi një popullatë të re, dhe kjo shtresë është prekur edhe në mënyra asimptomatike. Transmetimi komunitar është evident, dhe masat e vetë izolimit kanë luajtur rol të rëndësishëm se janë marrë në kohën e duhur. Faktikisht rastet e personave të intubuar dhe me sëmundje të tjera shoqëruese e kanë shtuar numrin e vdekjeve, që tregon anën e zezë, por nga ana tjetër një pjesë e popullatës po kalon me shenja minimale të infeksionit respirator, që mund të kenë qenë pozitiv pa shfaqur shenja. Vetëm gjurmimi epidemiologjik ka zbuluar që kanë qenë pozitiv.  Duke qenë se kemi transmetim komunitar është e pritshme të kemi edhe asimptomatik dhe ta kalojmë pa shenja", tha Tomini.