Topalli për Report TV: Partia ime, një lëvizje proteste kundër Bashës, Ramës e Kryemadhit!

4 Nëntor 2020, 18:25

"Në fakt ka diskutime të ndryshme, mund të ishte bërë më herët, shumë më herët. Unë besoj se është koha tani. Sigurisht që do të jenë shqiptarët ata që do të bëjnë vlerësimin në momentin e caktuar, në fund të prillit. Një ndër arsyet përse nuk është krijuar më parë një lëvizje politike, është sepse unë kam dashur, me të gjithë forcën e shpirtit tim, që reformat të ndodhnin brenda forcave politike. Për sa kohë që ne vuajmë një krizë politike përveç krizave të tjera ekonomike, sociale, shëndetësore, morale, të përfaqësimit etj., por krizat që janë derivate të asaj që kriza themelore fillon nga forcat politike, unë kam dëshiruar, kam bërë ftesë, kam shkruar për nevojën dëshpëruese që kanë të gjitha forcat politike në Shqipëri, për t’u çliruar nga pengmarrja, për të rikthyer demokracinë brenda vetes, për të rikthyer debatin brenda vetes, për të kthyer kartën morale brenda vetes. Në momentin ku ne jemi, që s’ka më kohë për të humbur, do të doja që edhe në këto momente që po flasim bashkë, të kishim drejtues politikë të rinj dhe të pakorruptuar të këtyre forcave politike. Por me sa duket, ata janë peng i shumë problemeve që kanë brenda vetes në këto kohë politike, që nuk lëvizin dhe nuk i lëshojnë karriget e tyre politike. Dhe pikërisht, kjo lëvizje që besoj se do të kthehet edhe në një lëvizje politike, ka për qëllim ose në qenien e saj është një lëvizje proteste. Është protestë kundër vjedhjes, është protestë kundër korrupsionit, është protestë kundër varfërisë së shqiptarëve, është protestë kundër mbylljes së vendeve të punës, është protestë kundër tradhtisë ë kryetarëve të partive që nuk kanë punuar për interesin publik, por e kanë zëvendësuar atë me interesin privat", tha Topalli.