Trajneri i Partizanit optimist para 'Championsit': E njoh mirë Qarabag, por ne jemi kampionët e Shqipërisë

9 Korrik 2019, 20:20

Të mërkurën në orën 17:30 në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ Partizani do të luajë ndeshjen e parë për fazën e parë eliminatore të ‘Champions League’ kundër Qarabagut. Në prag të takimit, trajneri Lerda, fillimisht ka deklaruar se e ka përzgjedhur formacionin për këtë takim, por refuzoi të zbulonte emra. Më tej italiani është shprehur:

“Pikat e dobëta duhet t’i kërkojë Karabaku, ne kemi shumë pikë të forta. Jemi grup i mirë dhe vijmë si kampionët në fuqi të Shqipërisë. Jemi krenarë për këtë. Kemi një grup që prej vitesh luajnë bashkë. Për Karabakun mund të them se e njoh mirë. Ka lojtarë të talentuar dhe cilësorë, spanjollë, brazilianë e kroatë. Janë ekip i fortë. E respektojnë në maksimum, por kemi shumë besim në vete.”

Më tej lerda dribloi pyetjen për Lorenc Trashin i cili kohët e fundit ka patur probleme me drejtuesit, ndërkohë që me pjesën tjetër të ekipit të Partizanit janë bashkuar sot edhe dy blerjet e fundit mesfushori Romero dhe sulmuesi Brazun, por asnjëri prej tyre nuk pritet të marrë minuta në ndeshjen e parë pavarësisht federimit.