Transformohet kisha me piktura murale të djalit të Onufrit! Kalohet përmes 'rrugës së besimit'

10 Mars 2019, 14:30

Kisha e Shën Kollit në fshatin Kurjan, Roskovec, e ndërtuar në shekullin XIII, në stilin bizantin, është atraksioni më i ri turistik, me restaurimin e saj pas 50 vitesh lënie në harresë. 

Kryeministri Edi Rama vizitoi Kishën e Shën Kollit, restaurimi i së cilës është fryt i bashkëpunimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Bashkisë Roskovec.   Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se projekti për restaurimin e kishës nuk është mjaftuar vetëm me ndërhyrjet në konstruksionin e kishës, por edhe me rivitalizimin e mjedisit përreth.  

Kryetarja e bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi, tha se e gjithë zona ku është pozicionuar kisha është transformuar falë këtij investimi. “Këtu më parë nuk ka ekzistuar asgjë nga këto që shikoni tani. Ka qenë një pjesë e kodrës, rrugë dheu. Është bërë gjithë ndërhyrja, ndriçimi që është funksional, sistemimi i shkallëve, pjesa rreth e rrotull kishës dhe punimet e brendshme dhe në muraturë, janë pjesë speciale. Ka një efekt shumë pozitiv edhe për vetë banorët, por edhe për ata që vijnë nga jashtë", tha ajo.

Kisha e Shënkollit ka vlera të rralla arkitektonike dhe kulturore. Pikturat murale në brendësi të kishës janë vepra të ikonografit Nikolla, i biri i Onufrit, të cilat do të restaurohen tërësisht në një fazë të dytë të projektit. 

“Është kishë bizantine e shekullit XIII. Forma e saj më parë ka qenë në formë kryqi e mbuluar me kupolë. Kupola është shembur ndër vite. Afër këtu kemi dhe një nga degëzimet e pjesës jugore të rrugës Egnatia dhe faktikisht është një vlerë e shtuar për të gjithë itinerarin e “Rrugës së besimit”. Të gjitha kishat e Myzeqesë janë të famshme, pasi kanë të integruara në trupin e  tyre pjesë të pllakateve dekorative paleokristiane, të cilat janë të marra nga gërmime arkeologjike dhe në zonën përreth. Të  gjithë ndërhyrjet janë fokusuar në rikthimin e identitetit të kishës. Në fazën e dytë kemi gati projektin për restaurimin e afreskeve. Vlera e shtuar e kishës janë afresket e 1578-s. Janë afreske të ikonografit Nikolla, i biri i Onufrit, që sëbashkua me Joanin kanë realizuar të gjitha afresket e kishës, të cilat kanë ende nevojë për restaurimin që do të zhvillohet në fazën e dytë të saj,” - shpjegoi ministrja Margariti.

Në rivitalizmin e mjedisit përreth janë ruajtur edhe elementet e natyrës, siç është simbolika e ullirit duke integruar më së miri, pjesën e peizazhit, kulturës dhe historisë. 

    No videos found.