Transformohet Parku 'Rinia', rrethohet me ujë Monumenti i Pavarësisë

20 Korrik 2019, 16:05

Parku “Rinia” në qendër të Tiranës po transformohet në një mjedis më të gjelbër, më argëtues për fëmijët e më të këndshëm për qytetarët. Pas suksesit në transformimin e Parkut të Liqenit Artificial, i cili sot është hapësira më e frekuentuar nga qytetarët e Tiranës, edhe Parku Rinia pritet që të ketë të njëjtin ndryshim dhe përkujdesje.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve, të cilat sjellin jo vetëm përmirësimin estetik të parkut, por pritet të dhjetëfishojnë numrin e vizitorëve.  “Sa herë plas historia e ‘skandal, skandal, skandal’, në portalet e gjumit, është muzikë për veshët e mi sepse them: Ka filluar një tjetër punë e bashkisë. Ndaj, kur lexova portalet që shkruanin: ‘skandal te parku “Rinia”, po betonizohet’, thashë më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë; një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj zemrës së Tiranës”, deklaroi Veliaj.