Transplant falas për 9 vjeçarin që ka lindur me një veshkë, Manastirliu: Financim 100% nga shteti

17 Dhjetor 2019, 14:31 | Përditesimi i fundit: 2019-12-17 15:05:25

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar Manuelin, 9-vjeçarin nga periferia e Tiranës, i cili ka kryer transplantin e veshkave falas, me financim 100% nga shteti.

"Jemi të lumtur që këtë mundësi ja dhamë Manuelit, ne do e ndjekim në vazhdimësi shëndetin e tij. Manueli është pacienti më i vogël që ka kryer transplantin, duke marrë një zgjidhje përfundimtare, pa patur nevojë t’i nënshtrohet më procesit të dializës”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Manuel Ferati ka lindur me një veshkë dhe që prej muajve të parë të jetës ka kaluar më shumë kohë në spitale. Dy muaj më parë ka kryer transplantin e veshkës, të cilën ja ka dhuruar I ati, ndërsa financimi I ndërhyrjes së kushtueshme është mbuluar 100% nga shteti.

Aktualisht Manueli dhe i ati janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Manueli është pacienti më I vogël që ka përfituar nga transplanti falas dhe jemi shumë të kënaqur për këtë sepse për ne fëmijët janë të parët. Por Manueli nuk është i vetmi sepse janë 29 pacientë këtë vit që e kanë përfituar transplantin falas, duke zeruar listën e pritjes. Para disa vitesh as nuk mendohej të kryeshin të tilla procedura të tilla me financim nga shteti për shkak të pagesave të larta, kurse sot financohen 100% nga shteti. Ne do ta vazhdojmë dhe do ta shtrijmë edhe në sistemin publik transplantin” tha Manastirliu.

Transplanti i veshkave është pjesë e paketave shëndetësore falas, të cilat financohen nga shteti në spitalet publike dhe jopublike. Që prej fillimit të kryerjes së transplantit falas 4 vite më parë, 90 pacientë kanë përfituar ndërhyrjen falas në sistemin jopublik, me dinancim 100% nga shteti.