Trazirat e 1997/ Kërkohet kompensim dëmi nga grabitësit e thesarit të shtetit

29 Gusht 2018, 13:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Ministrisë së Brendshme ngritjen e një grupi pune, për identifikimin e personave përgjegjës për grabitjen e rezervave të shtetit, gjatë trazirave të vitit 1997, për të marrë më pas masa që të kompensojnë dëmet e shkarkuara. Përmes një raporti të posaçëm kontrolli, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një bilanc të gjendjes debitore të Ministrisë së Brendshme. Gjendja debitore është 8,318,301,000 lekë, nga e cila një pjesë është shkaktuar gjatë trazirave të 1997-1998, përmes sulmit dhe grabitjes së rezervave të shtetit. Kujtojmë se, një nga grabitjet më të bujshme në atë kohë është vjedhja e 340 kg flori në Thesarin e Shtetit Shqiptar, më 14 prill 1997, në tunelet e shtetit shqiptar, në fshatin Krrabë të Elbasanit. Kjo ngjarje është mbuluar me një tis misteri, ndërsa sot e kësaj dite nuk ka ende një përgjegjës për vjedhjen e thesarit që ruhej në tunelin e Krrabës, dyert hermetike të të cilit hapeshin vetëm me një kod të veçantë. Ka vetëm akuza dhe kundërakuza për implikimin e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar.

“Sipas pasqyrave financiare (bilanci) përmbledhëse për të gjithë njësi vartëse, në fund të vitit 2016, gjendja debitorë (klasa 4) paraqitet në vlerën 8,318,301,000 lekë nga e cila një pjese e konsiderueshme paraqiten edhe pa shpresë arkëtimi, sepse është krijuar dhe e trashëguar që nga trazirat e vitit 1997-1998, apo me përpara. Për aparatin e MB, shqetësuese mbetet mos arkëtimi i shumës 27,365,134 lekë nga debitori z. E. A. Ky detyrim është krijuar para vitit 2000, për shkak të abuzimeve të bëra në tenderin e prodhimit të pasaportave për jashtë shtetit. Ndërsa shqetësuese mbeten edhe debitorët në njësitë vartëse si: Në Gardën e Republikës paraqiten debitorë në shumën 30,325,039 lekë, ku pjesën më të lartë e zënë debitorët në trazirat e viteve 1997-1998, si dhe 13 debitorë në vlerën 8,477,624 lekë, për të cilët Garda e Republikës i ka marrë në ngarkim në kontabilitet për llogari të të tretëve”, thuhet në raportin e KLSH.