Tre ‘arreste me burg’ në 24 orë për të ‘fortin’ e Shkodrës Safet Bajri, në qeli edhe tre anëtarët

25 Shtator 2018, 15:32

TIRANE-Tre masa sigurie ‘arrest me burg’ në 24 orë për të ‘fortin’ e Shkodrës Safet Bajri. E ndërsa dje në Shkodër u njoh për masën e sigurisë në lidhje me dënimin në mungesë në Belgjikë dhe në Tiranë për përfshirje në manipulimin e ndeshjeve, sot sërish Krimet e Rënda e lanë në burg, por për pistoletën pa leje dhe 0.3 gr kanabis që iu bllokua gjatë operacionit të premten në mbrëmje.

Përpos tij para gjykatës sot dolën edhe tre anëtarë të grupit; Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër; Denis Brajoviq dhe Klaudio Hoxhalliu, të arrestuar në Tiranë, po gjatë operacionit të së premtes, të cilët gjithashtu u lanë në burg. Ndërkohë që në kërkim janë; Enver Bajri 45 vjeç, që konsiderohet si koka e grupit kriminal dhe Nelson Hysa 34 vjeç.

Gjyqtarja që dha vendimin ishte Ilirjana Olldashi, e cila ashtu si edhe në seancën e djeshme nuk lejoi mediat që të ishin të pranishme në sallë për shkak të sekretit hetimor. Pas dhënies së vendimit Safet Bajri është dërguar në paraburgimin e 313, ndërsa edhe tre të tjerët që u njohën sot me masën e sigurisë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës do të dërgohen në paraburgim.

Sot te Krimet e Rënda masat e sigurisë
Safet Bajri -Arrest me burg
Ismet Idrizi -Arrest me burg
Denis Brajoviq -Arrest me burg
Klaudio Hoxhalliu- Arrest me burg

Masat e sigurisë dje te Krimet e Rënda
Arrest me burg për Safet Bajrin (Edhe ne Shkoder)
Arrest me burg për Emrah Plakun
Arrest me burg për Ilir Bajrin
Arrest me burg për Armir Grimën
Arrest me burg për Astmer Bilalin
Arrest me burg për Fabjol Rexhepin

Grupi Bajri-Të arrestuar nga dy operacionet
1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Në kërkim:
Enver Bajri 45 vjeç
Nelson Hysa 34 vjeç

Akuza për grupin Bajri
Të gjithë këta persona akuzohen për vrasje me dashje, gjobëvënie, armëmbajtje pa leje, vrasje e mbetur në tentativë, trukim ndeshjesh, armëmbajtje pa leje, të gjitha këto vepra në formën e grupit të strukturuar kriminal. Hetimet kanë zgjatur 6 muaj, ku janë kryer përgjime dhe janë kryer hetime në bashkëpunim me shërbimet e huaja partnere. Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuara deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001 dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër. Grupi kriminal “Bajri” po hetohet për ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër. Fatbardh Lici u qëllua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e datës 10 gusht. Lici dhe Bajri prej disa vitesh janë grupe rivale në Shkodër dhe burime nga Task-Forca i thanë Report TV, se dyshojnë që vrasja e Licit është bërë nga grupi “Bajri”.

Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit. Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë ku u finalizua. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh. Operacionet në Shkodër vijnë pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur në këtë qytet. Në vetëm 3 muaj, në Shkodër kanë ndodhur 6 vrasje, ku më e fundit ishte ajo e biznesmenit Arjan Ferracaku. 2 persona të tjerë janë raportuar si të zhdukur.