Tre muaj pas pezullimit të gjyqeve civile në Lezhë, gjykata hap 7 zyra në prokurori

4 Mars 2020, 15:33

Tre muaj pas pezullimit të pjesës më të madhe të proceseve gjyqësore si pasojë e dëmtimit të ambienteve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Gjykata e Lezhës, ka rihapur shqyrtimin gjyqësor për të gjitha çështjen e regjistruara në këtë gjykatë.

Që prej datës 3 mars 2020, kryegjyqtarja Ornela Naqellari, mësohet të ketë vendosur rifillimin e ushtrimit të shërbimeve gjyqësore për të gjitha kërkesat e depozituara në këtë gjykatë, që për fatin e keq godina e saj, pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

Tashmë, çështje penale dhe civile janë në proces gjykimi, pasi 7 zyra të prokurorisë së Lezhës janë përshtatur në salla gjyqi dhe zyra për administratën e gjykatës së Lezhës.

Pavarësisht kushteve jo të mira, çështjet penale pas një periudhe një mujore të pezulluara, në datën 7 janar 2020, kanë rifilluar gjykimet.

Seancat gjyqësore zhvillohen në sallën e mbledhjeve të prokurorisë së Lezhës, ndërkohë në këtë periudhë të vetmet gjyqe që ishin të pezulluara ishin proceset me karakter civil.

Tashmë që prej 3 marsit 2020 e në vijim edhe këto procese janë hapur, duke çuar në funksionimin e plotë të punës në këtë gjykatë.