Tregtarët tregojnë pse kanë rritur çmimet e fruta-perimeve! Task-Forca bllokon bizneset abuzive!

15 Mars 2020, 14:01

TIRANË- Pas denoncimeve që kanë mbërritur në redaksinë tonë, Report Tv me gazetarin Arsen Rusta kanë bërë një vëzhgim në disa pika shitjes të frutave dhe perimeve në rrugën e Elbasanit është fakt! Çmimet kanë pësuar një rritje prej 20 lekësh, kryesisht të portokalleve dhe limonëve, dy produktet bazë që rekomandohen për t'i konsumuar në "luftën" ndaj koronavirusit. Për mikrofonin e Report Tv, qytetarët shprehen se dy ditë më parë e kanë blerë portokallin me 80 lekë kg, e ndërsa sot ai shitet në treg me 100 lekë.

"Mos e pyet, janë rritur çmimet. Dy ditë më parë ka qenë 80 lekë kg"

Çmimet janë rritur, se bëj shpesh pazar. Portokalli ka qenë 75-80 lekë"

"I kanë ngritur çmimet e doreza. Portokalli 160, i kam marrë në një vend tjetër", thanë disa prej qytetarëve që sot kishin dalë nga shtëpia për të bërë pazar.

Një gjë e tillë pranohet edhe nga vetë shitësit, por sipas tyre e gjitha është për shkak se çmimet i ka rritur shumica, e që më pas reflektohet edhe tek pakica.

"Problemi është tek shumica, se ne si biznes kemi qenë konstant dhe nuk është momenti që gjuajmë krizat për të rritur çmimet. Nuk ka asnjë produkt shqiptar, janë të importuara. Ka pasur shumë shitje këto. E kam marrë portokallin 90 lekë kg, e shes me 100 lekë", tha pronari i një biznesi, i cili mes të tjerave theksoi se nuk shfrytëzon kriza për të tilla për të fituar, përkundrazi. Ai është shprehur i gatshëm të punojë vullnetarisht. "Jam i gatshëm që të punoj vullnetarisht, vetëm të më sjellin mallin dhe e shes unë", tha ai.

"Nuk e kemi në dorë, edhe ne me çmime të larta i kemi marrë. I ka rritur shumica", tha për Report Tv pronari i një dyqani fruta-perimesh.