Treshja e gjyqtarëve tërhiqet për vendim! Saimir Tahiri 4 orë pritje

19 Shtator 2019, 20:23

TIRANE - Gjykata për Krime të Rënda prej orës 16:00 është tërhequr për të marrë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, të akuzuar për trafik droge në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal të drejtuar nga Mojsi Habilajt. Gjyqtarët Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka janë mbyllur në dhomën e këshillimit prej orësh.

Pas mbrojtjes që Tahiri bëri vet në seancë e shkuar përreth dy orë, sot ishte radha e ish-kryepolicit të Vlorës, Jaeld Çela, ku avokati i tij kërkoi pafajësi. Nga ana tjetër, ish-ministri e ka quajtur një gjyq të montuar dhe të pabazuar në prova duke kërkuar gjithashtu pafajësi.
Më 10 shtator prokuroria dha pretencën ku kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3). Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

I pranishëm edhe sot në seancë, Saimir Tahiri doli i qeshur nga Gjykata, ndërsa deri në orarin kur Gjykata pritet të dalë me vendim, ai zgjodhi të konsumojë një kafe në një lokal pranë, nën shoqërinë e gazetarëve dhe avokatit të tij, Maks Haxhia. Nuk mungoi mbështetja nga simpatizantët e tij, të cilët i kërkuan të jetë krenar për çfarë ka bërë, duke shtuar se në Shqipëri "kush punon, dënohet"

Ndër provat më të rëndësishme që përdori Tahiri duke pretenduar pafajësinë ishin 6 shkresa dërguar ish ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli për mosfunksionimin e radarëve, dokumenti sekret në të cilin Jaled Çela njoftonte prokurorinë për aktivitetin kriminal të Habilajve dhe e-maili e zyrtarit të policisë së Vlorës, Gjergji Kohilës për prokurorin Dritan Prenci duke njoftuar po për aktivitetin kriminal të Habilajve.

Saimir Tahiri përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimi. Në këtë proces Tahiri është i pandehur me Jaleld Celën, ndërsa për Sokol Boden, ish-drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, procesi është veçuar nga Krimet e Rënda. Seanca gjyqësore edhe sot u ndoq nga përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.