'Triller' në Shkodër por Vllaznia mposht turqit dhe kualifikohet në turin e dytë të Champions League

3 Nëntor 2020, 20:09

Skuadra e Vllaznisë për femra ia ka dalë me shumë peripeci të kualifikohet në turin e dytë të Champions League, pasi sot në Shkodër ka mposhtur me penallti kampionët e Turqisë, ALG Sport.

90 minutat në Loro Boriçi u mbyllën me rezultatin e barabartë 2-2 pavarësisht se skuadra shqiptare kaloi dy herë në avantazh. Në shtesë vajzat kuqeblu, që këtë sezon kanë pritshmëri të larta, u shtangën kur në minutën e 118, pasi patën mbetur me një lojtare më pak kaluan edhe në disavantazh. Por atëhere kur të gjithë prisnin dorëzimin Vllaznia u ringjall në limite, me një gol të Bajraktarit në minutën e 122, duke e dërguar ndeshjen me penallti.

Nga ‘ruleta ruse’ më të sakta u treguan vajzat shkodrane, të cilat fituan 4-2 pavarësisht se gabuan të parat. 

Në shortin që do të hidhet me 6 nëntor në Nyon, Vllaznia do të njohë kundërshtarin e turit të dytë. Këto raunde luhet me tek ndeshje për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.