Tritol në banesën e Gazmir Daci, i dënuar për vrasjen e V.Kolaverit

27 Korrik 2018, 15:02 | Përditesimi: 27 Korrik 2018, 15:02

Një shpërthim me eksploziv ka tronditur gjatë natës Bathoren. Tritoli u vendos në garazhin e banesës së Gazmir Dacit, ndërsa nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Report Tv ka siguruar pamjet ekskluzive të momentit të shpërthimit në garazhin e banesës së Xhelal Dacit, babait të Gazmirit. Në pamjet duket momenti kur autori, pasi vendos eksplozivin me fitil në orën 01:31:30, i maskuar largohet me vrap në drejtim të makinës që kishte e priste pak metra më tej duke ikur me shpejtësi.

Ndërsa rreth 25 sekonda pasi largohet nga vendi i ngjarjes, në 01:31:55 ndodh shpërthimi. Momenti i shpërthimit është regjistruar nga kamerat e sigurisë së një biznesi, ndërsa autori ka qenë i maskuar dhe mjaft i kujdesshëm për të mos lënë gjurmë. Nga shpërthimi që mendohet se ka qenë rreth 150 gr eksploziv janë thyer xhamat e banesës dhe dera e garazhit.

Banesa e Dacit është tronditur edhe dy herë të tjera, fillimisht nga një granatë që është hedhur në oborrin e banesës pak vite më parë, ndërsa në 1 janar 2017 u vendos tritol në dyqanin në pronësi të familjes. Shkak i shpërthimit të sotëm, por edhe i atyre më parë dyshohet se janë konfliktet e vjetra dhe hasmëria, ndërkohë që policia po vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen.