Vdes një nga të plagosurit! Shkon në 2 numri i viktimave nga atentati në Kurbin

31 Maj, 08:27 | Përditesimi i fundit: 2020-05-31 08:31:10

TIRANE-Rëndohet bilanci i atentatit mbrëmjen e djeshme në Kurbin. Njëri nga dy të plagosurit ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë disa orë pasi u transportua. 53-vjeçari Paulin Gjergji nuk ka mundur që t'u rezistojë plagëve që mori nga breshëria e plumbave duke ndërruar jetë pavarësisht tentativave të mjekëve. Mbrëmjen e djeshme në ambientin e jashtëm të një hoteli në aksin rrugor Laç-Mamurras afër kryqëzimit të fshatit Gjormë një person qëlloi me armë zjarri duke lënë të vdekur në vend Bujar Likën (Hasani) 37-vjeç, që dyshohet se ishte shënjestra, ndërsa të plagosur mbetën Kreshnik Tusha 21 vjeç dhe Paulin Gjergji 53 vjeç, që ndërroi jetë disa orë më vonë te 'Trauma' në Tiranë.Por kush është e shkuara e Likës? Report Tv zbardh detaje të reja. 37-vjeçari rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2016 është dënuar nga gjykata me 1 vit burg si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikajt në Dajt në vitin 2015. Viktima ishte mik i ngushtë i Ervis Martinajt, gjithashtu emër i njohur pas ngjarjes së 2018 në Bllok. Pranë trupit të viktimës që njihej me dy mbiemra, Lika e Hasani mbrëmjen e djeshme u gjet një armë, që nuk dihet nëse u përdor gjatë shkëmbimit të zjarrit. Mbrëmjen e djeshme dyshimet e para ishin se autori ishte njëri mes dy të plagosurve, por është ende e paqartë. Ende nuk dihet se cili ka qenë roli i Gjergjit që vdiq në spital dhe të plagosurit tjetër. Vijon hetimi i ngjarjes nën drejtimin e prokurorit.

Kategori të tjera