Trump kërcënon Londrën pas incidentit me ambasadorin Kim Darroch

9 Korrik 2019, 10:46

"I paaftë dhe i pasigurt", kështu, ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, e kishte përshkruar presidentin amerikan Donald Trump në një letër diplomatike që duhej të qëndronte sekret. Megjithatë, një rrjedhje informacioni bëri që këto fjalë të përfundonin në shtyp dhe të kërcënojnë marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Londrës.

Menjëherë pas incidentit Londra ka hapur një hetim.

Pas egos së tij të plagosur publikisht, hakmarrja e Donald Trump nuk vonoi.

Në një postim në Twitter, Trump shkruan se "Prej sot, ne nuk do të kemi më marrëdhënie me ambasadorin britanik. Një lajm i mirë në lidhje me Britaninë e Madhe është se nuk do të ketë më Theresa May për Kryeministre. Londra do të çlirohet nga një grua që me Brexit bëri një katastrofë”

Me një gjuhë aspak diplomatike Trump ka kërkuar largimin e ambasadorit Kim Darroch, duke kërcënuar se në të kundërt do të rishikojë marrëdhëniet me Britaninë, gjë që Londrës, pas braktisjes që i bëri Europës, nuk i shkon aspak për shtat.

Pavarësisht kërcënimeve të Trump, po mbrëmjen e djeshme Theresa May ka konfirmuar mbështetjen e saj të plotë për ambasadorin, duke mos i dhënë Trump asnjë shenjë lëkundje.

E-mail-et sekrete të ambasadorit britanik në Shtetet e Bashkuara, të botuara në prestigjozen Daily Mail, kritikonin ashpër Trump-in dhe gjithë administratën e tij duke i cilësuar “të paaftë, jofunksional, të pasigurt” kurse fjalimet e presidentit amerikan “ të mbushura plot gënjeshtra".