Trump: Kina do të përballet me pasojat nëse ka përgjegjësi të qëllimshme në COVID-19...Laboratori rrëzon akuzat

19 Prill 2020, 16:46

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Kina do të përballet me pasoja të rënda nëse ka përgjegjësi të qëllimshme në pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19). “Nëse është gabim, është gabim, por nëse ka përgjegjësi të qëllimshme duhet të përballet me pasojat”, theksoi Trump duke iu referuar rolit të Kinës në pandeminë e koronavirusit të ri.

Ndërkohë Drejtori i laboratorit kinez, të akuzuar nga media amerikane si një burim i mundshëm i koronavirusit të ri ka hedhur poshtë kategorikisht çdo përgjegjësi.

“Është e pamundur që virusi të vijë nga ne”, deklaroi në një intervistë për televizionin shtetëror CGTN, Yuan Zhiming, drejtor i Institutit të Virologjisë të Wuhanit, qyteti epiqendër i pandemisë. Sipas pjesës më të madhe të shkencëtarëve, koronavirusi i ri me shumë gjasa është transmetuar tek njeriu nga një kafshë.