Trump zgjat deri në fund të vitit pezullimin për imigracionin në SHBA

23 Qershor 2020, 13:40

SHBA- Administrata e Presidentit Trump tha të hënën se ka vendosur të zgjasë ndalimin e lëshimit të kartave jeshile jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara deri në fund të vitit. Pjesë e këtij vendimi është edhe zgjatja e ndalimit të lëshimit të vizave të përkohshme të punës, përfshirë ato që përdoren shumë nga kompanitë e teknologjisë dhe korporatat shumëkombëshe.

Administrata e justifikoi veprimin, duke e quajtur atë një mënyrë për të liruar vendet e punës në një ekonomi të goditur rëndë nga koronavirusi. Një zyrtar i lartë që foli me gazetarët në kushte anonimiteti, vlerësoi se kufizimet do të lironin deri në 525,000 vende pune për amerikanët.

Ndalimi, megjithëse i përkohshëm, do të sillte një ristrukturim të madh të sistemit të imigracionit të ligjshëm nëse do të bëhej i përhershëm, një qëllim që administrata e shmangu para pandemisë. Grupet e biznesit i kishin bërë presion të madh për të kufizuar shtrirjen e këtyre masave, duke thënë se shumë prej punonjësve të tyre janë thelbësorë.

Ndalimi i aplikimeve për viza të reja vlenë për vizat H-1B, të cilat përdoren nga kompani të mëdha amerikane të teknologjisë, vizat H-2B për punëtorët sezonalë joagrikulturor, vizat J-1 për shkëmbim të studentëve dhe vizat L-1 për menaxherët e korporatat shumëkombëshe.