Turi i tretë i Championsit, Paok-u i Kaçes e Mihajt sonte sfidon Ajax-in

6 Gusht 2019, 12:13

PAOK-u i Selanikut-Ajax i Amsterdamit është dueli që spikat mbrëmjen e sotme në turin e tretë kualifikues të Champions League. Ekipet kampione të Greqisë dhe Holandës përplasen për një vend në fazën play-off të kompeticionit europian më të rëndësishëm për klube. Ekipet janë gati për përballjen e madhe në stadiumin “Toumba” në Selanik ndërsa me interes pritet nëse shqiptarët e PAOK-ut Ergys Kaçe dhe Enea Mihaj do të aktivizohen ndaj gjigandëve holandez. Skuadra greke i ka humbur katër ndeshjet e fundit në shtëpi të luajtura për kompeticionet e UEFA-s. 

Holandezët gjysmëfinalistë edicionin e kaluar ku eliminuan Real e Juventus e kanë eliminuar PAOK-un në dy përballjet e kaluara në vitet 2011 dhe 2017-të. Holandezët duhet t’i sigurojnë grupet e Championsit pa yjet De Jong e De Ligt të larguar gjatë merkatos së verës. Dueli starton në orën 19:00 dhe fituesja e këtij çifti në fazën play-off do ndeshjet me fituesen e çiftit Apoel- Qarabag.
Duelet e tjera janë Dinamo Zagreb-Ferencvaros, Klub Bryzh-Dinamo Kiev dhe Crvena Zvezda-Kopenhagen./Përgatiti Andi Kapxhiu