'Turp që u diskutua për ushqimet', kapiteni i Vllaznisë tregon se si i bindi Ademi të rikthehen në stërvitje! Kryetarja e Këshillit Bashkiak sqaron ngërçin me pagat

25 Maj 2020, 12:24

"Kemi pas një takim me kryetaren e bashkisë dhe kemi arrit një marrëveshje, e cila është në shërbim të klubit Vllaznia,"-shprehet Gilma Lika

Pas katër ditëve bojkot për pagat Vllaznia është rikthyer sot në stërvitje për të nisur përgatitjet për 3 qershorin, datë e cila është parashikuar të rinisë Superliga shqiptare. Kapiteni i shkodranëve Gilman Lika tregon se si i bindi kryetarja e bashkisë Voltana Ademi për t'u rikthyer të stërviten.

Na ka premtuar që do vazhdojnë shumë shpejt me pagesat e lojtarëve, duke filluar që para ndeshjes me Flamurtarin. Më vjen turp me diskutu punën e ushqimit dhe shtëpiave, por është zgjidhur menjëherë ai problem,"-deklaron më tej kapiteni.

Ndërkohë zëvendës trajneri Safet Osja, i cili drejtohen seancat stërvitore në mungesë të Mirsad Jonuz, trajnerit nga Maqedonia e Veriut që është në karantinë pas kthimit në vendin tonë, thotë se rikthimi i skuadrës në stërvitje është një lajm pozitiv.

"Edhe për ne si trajner është një lajm pozitiv dhe shpresojmë ta vazhdojmë stërvitjen mbarë. Pavarësisht se kemi bërë dy tre ditët e para stërvitje tani do ta fillojmë aty ku e kemi lënë."

Te Vllaznia futbollistët kanë katër muaj pa u paguar, ndërkohë që pavarësisht premtimit të Ademit është e vështirë të paguhen futbollistët. Në lidhje me kërkesën e saj për mbledhjen e Këshillit Bashkia, për të miratuar pasqyrat financiare, kryetarja e këtij këshillit Brisela Kadiu shprehet:

"Një shkresë e tillë është e pavlerë pasi ne si Këshill Bashkiak i kemi kërkuar zonjës Ademi me thirrje publike dhe shkresa zyrtare për të zhvilluar Asamblenë. Ajo që ne i kemi si Këshill Bashkiak kërkuar zonjës Ademi dhe Licit është që të modifikohet në përputhje me situatën e pandemisë që është krijuar. Që do të thotë se janë primare pagat e futbollistëve."