Twitter: Nga nëntori do të bllokohen reklamat me përmbajtje politike në të gjithë botën

31 Tetor 2019, 14:47

Twitter ka njoftuar se duke filluar nga muaji i ardhshëm do të bllokojë reklamat me përmbajtje politike në të gjithë botën. Një zgjedhje që i përgjigjet kritikave në rritje të dezinformacioneve të bëra nga politikanët në mediat sociale.

Drejtori i Përgjithshëm Jack Dorsey tha se "Ne kemi vendosur të bllokojmë të gjitha format e reklamave politike në të gjithë botën, sepse besojmë se audienca duhet të ‘fitohet’ dhe jo të blihet.

"Nga ana jonë - tha Dorsey - nuk do të ishte e besueshme të thuhej: Ne po punojmë shumë për t'i parandaluar që njerëzit të përhapin informacione mashtruese, por nëse dikush na paguan, atëherë ai mund të thotë atë që dëshiron".

Këto deklarata duket se sjellin në mendje zgjedhjen e fundit të bërë nga Mark Zuckerberg i cili ka vendosur që kompania e tij Facebook nuk do të verifikojë vërtetësinë e deklaratave të aktorëve të ndryshëm politik, të cilët blejnë hapësira në platformën e tij.

Reagimi i Twitter në të vërtetë vjen menjëherë pas gjobës prej 500,000 dollarësh të vendosur ndaj Facebook për shkeljen e ligjit për mbrojtjen e të dhënave, në lidhje me skandalin e Cambridge Analytica, firma konsulente e drejtuar nga ish këshilltari i Donald Trump, Steve Bannon - i cili kishte siguruar të dhënat e rreth 87 milion përdoruesve në të gjithë botën

Megjithatë, pas njoftimit, Twitter humbi terren në Wall Street, duke zbritur me mbi 2%.