U braktis në shkallët e maternitetit, 31-vjeçari në kërkim të prindërve

9 Tetor 2019, 18:15

TIRANË- Kreshnik Baze nga Skrapari është një djalë i cili shumë vite më parë, konkretisht 31 vite u la në shkallët e maternitetit dhe sot është në kërkim të prindërve të tij biologjik. Ai i është drejtuar emisionit "Pa Gjurmë" në Report TV ku pret që pas bërjes së historisë së tij publike, të bie në gjurmën e tyre. Baze ka dhënë disa detaje që sipas tij mund të vijnë në ndihmë për të gjetur prindërit e tij, nëse janë gjallë. Në studion e Report Tv, Kreshniku është ndalur tek një episod i ndodhur në vitin 2007, kur ai ishte kamarier në një restorant në Kavajë, ku një i moshuar për të cilin ai dyshon se është gjyshi i tij e ka përqafuar, i ka lënë bakshish dhe i ka thënë "Gëzohem që je mirë. Mos më merr për Kavajës se nuk jam, por jetojmë në hyrje të Kavajës"...fjalë këto që Kreshniku i ka marrë si mesazh.

Ai dyshon se origjina e tij nuk është nga Skrapari, por nga veriu i Shqipërisë ose Kosova, dyshime këto të ardhura për shkak të disa episodeve të shkurtra nga e kaluara dhe kërkimeve të tij personale.

Babi im birësues ka punuar në ato vite në Luz të Kavajës dhe më ka thënë para se të ndërronte jetë më tha "kur kam punuar çoban më ka thënë që gjyshi yt ka një karburant në hyrje të autostradës së Kavajës". Unë jam i bindur që ai ishte gjyshi. Se nuk interesohet familja e babit, por e nënës. Sot ai duhet të jetë diku te 80-ta", tha Kreshniku në studion e Report Tv.

Sakaq, gjatë transmetimit të emisionit, ka mbërritur një telefonatë nga një zonjë në Kavajë, e cila deklaron se ka informacion mbi prindërit e Kreshnikut.

"Unë jam bij në Kavajë. Gjon Preni është nga veriu ka punuar në pulari dhe Elsa është e shoqja, ka tre fëmijë. Elsa dy djem punojnë në Gjermani, dhe një vajzë, Marjana Luka jeton në Greqi. Kjo e fundit është mamaja e Kreshnikut", u shpreh ajo. Por kjo telefonatë nuk e entuziasmoi Kreshnikut pasi tha se ishte i bindur që nuk ishte Marjana nëna e tij, sepse i kishte bërë më herët verifikimet. Madje rrëfeu se Marjana kishte ardhur në Shqipëri, për të bërë analizat e ADN-së, por ishte tërhequr papritur, çka ka ngritur dyshimet tek Kreshniku.