U delegua si prefekt i Shkodrës/ Lamallari për Report Tv: Ishte vendim i Këshillit të Emergjencave!

16 Prill 2020, 19:03 | Përditesimi i fundit: 2020-04-16 19:07:18

TIRANË- Zv. ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka zbuluar se nuk ka qenë kërkesa e tij për të marrë detyrën e Prefektit të Shkodrës, pas shkarkimit të Çesk Miljes, por ishte një vendim i Këshillit Ndërministror të Emergjencave Civile. Në intervistën e tij të parë në cilësinë e prefektit dhënë për Report Tv, Lamallari shprehet se situata në Shkodër ka njohur përmirësime dhe se qytetarët kanë filluar të respektojnë masat e marra.

"Ishte një përgjegjësi shtesë dhe kushdo që caktohet në këtë detyrë do punojë maksimalisht, do bashkëpunojë me organet vendore për mbarëvajtjen e sigurt. Është vendimi i Këshillit Ndërministror të Emergjencave Civile. Ajo çfarë është e rëndësishme është menaxhimi sa më i mirë i situatës, nuk ka asnjë lloj ndasie apo përkatësie në këtë luftë të përbashkët", tha Lamallari.Pyetur nga gazetari Besard Jacaj se çfarë do kishte dashur që të gjente ndryshe në Shkodër, ai tha se do preferonte që të zbatoheshin më tepër masat e marra nga qeveria, e ndërsa refuzoi të komentonte nëse kjo gjë ka pasur prapavijë politike. Nuk është koha për politike, shtoi Lamallari, sipas së cilit sot ka një prioritet më të madh se ngjyrimet e flamujve partiak që është shëndeti.