U dëmtua gjatë tërmetit, Insituti i gjeologjisë shpime në kullën e kalasë së Krujës për verifikime

8 Janar 2020, 22:33

Insituti i gjeologjisë vijon verifikimet në kullën e sahatit në kalanë e Krujës pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit. Shpimet po kryen në territorin poshtë kullës së sahatit për të parë shtresat e tokës që të vendoset nëse ka nevojë për ndërhyrje në riparimin e saj. Deri më tani janë zhvilluar disa studime për përcaktimin dhe vlerësimin e bazamentit të kullës në kalanë e Krujës.

Kulla e kalasë së Krujës ose siç quhet ndryshe Kulla e sahatit, është ndërtuar në shekullin e 12 dhe shërbente si kullë vrojtimi. Ndër shekuj kjo kullë ka pësuar dëmtime. Ku më i fundit ka qenë për shkak të lëkundjeve sizmike që tronditën vendin tonë.

Pjesa e sipërme e kullës i është nënshtruar një rikonstruksioni në 1981 ku dhe atëherë u dëmtua nga tërmeti apokaliptik që shkaktoi dëme kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Kulla e sahatit në kalanë e Krujës pësoi dëmtime serioze në pjesën e sipërme të saj. Edhe në një fragment të filmit “Gjurmë në Kaltërsi “ prodhim i 81 shihet në sfond kulla e përgjysmuar.