Shembet gjimnazi ku studiuan, Veliaj: Lamtumirë nostalgji! Sot fola me Nanon, Metën e Bashën

24 Prill 2020, 10:58 | Përditesimi i fundit: 2020-04-24 15:36:20

TIRANE-Paraditen e sotme nisi shembja e gjimnazit 'Sami Frashëri' në kryeqytet. Mjediset e gjimnazit u zbrazën për t’i lënë vendin shembjes së plotë të godinës ditën e sotme. Gjimnazi u ndërtua në vitet '60. Kryebashkiaku Erion Veliaj ndoqi nga afër nisjen e punës për shembjen e shkollës, ndërsa si ish-nxënës i 'Sami Frashërit' tha se kjo është një ditë me plot emocione dhe kujtime, por që i përcjellim njëherë e mirë. Veliaj tregoi se sot ka komunikuar edhe me Presidentin Meta, ish-kryeministrin Nano dhe liderin e opozitës, Basha, pasi të tre kanë qenë nxënës të kësaj shkolle, ashtu si edhe ai. Kryebashkiaku u shpreh se pavarësisht bindjeve, shkolla bashkon dhe unifikon.

"Është një ditë e rëndësishme për qytetin dhe për mua, kjo është shkolla ime e vjetër e gjimnazit. Sot kam folur me Presidentin Meta, ish-kryeministrin Fatos Nano dhe liderin e opozitës. Kemi mbaruar të gjithë në këtë shkollë. Shkolla pavarësisht bindjeve është një vend që bashkon, unifikion.  Unë e kam mbaruar shkollën në vitin 1998, por vjen një moment që duhet t'i themi lamtumirë nostalgjisë dhe kujtimeve. Shpesh herë kemi ndërhyrë për estetikë, por nuk është zëvendësim i kolonave dhe themeleve.Veliaj ka treguar edhe batutën e Fatos Nanos gjatë komunikimit për shkollën. "Fatos Nano më tha batutën që nuk e prisja. Shoku Fatos është i njohur për batuta e humor. ‘Mjaft-i m’i prishi të gjitha planet që kisha në jetë, tani më prishi dhe shkollën’. I premtova se do e ftoj në inaugurimin e shkollës së re” tha Veliaj.