U dënua me një vit burg, Ervin Salianji: Vendim politik nga gjyqtari i partisë

5 Janar 2020, 14:07 | Përditesimi i fundit: 2020-01-05 16:39:55

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji e ka quajtur vendimin për dënimin e tij, politik dhe që nuk bazohet në asnjë provë kontrete. Sipas Salianjit me anë të këtij vendimi gjykata ka deklaruar se është tentuar që t'i dëmtohet reputacioni një krimineli ndërsa u dënuan denoncuesit. Ndër të tjera Salianji është shprehur se Gjykata ka vepruar jashtë rrjedhës ligjore dhe pa fakte.

Njësoj si dënimet për agjitacion dhe propogandë, gjyqtari i partisë thotë që është dëmtuar reputacioni publik i një krimineli të dënuar dhe që sot po kryen dënimin në Itali apo dëmtimi i reputacionit politik të ish-ministrit të brendshëm ndërkohë që menjëherë pas denoncimit, Agron Xhafaj, shkoi për të vuajtur dënimin. Vendimi i djeshëm nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe asnjë linjë logjike se si ka bashkëpunim mes personave që nuk njihen. Gjyqtari e pranon në vendim që ne nuk kemi njohje të mëparshme, pranon dhe që mes meje apo dhe  gazetarit Olldashi, nuk ka komunikime dhe asnjë kontakt dhe asnjë njohje me dëshmitarin e sajuar Alizoti. Arsyetimi i vendimit dhe dalja e tij pa ju njoftuar palëve dhe pa u hedhur ne sistem e bën të dyshimtë se si dhe kur është bërë zbardhja e vendimit, vendimi në pjesën hyrëse  (22 flete) ka krejtësisht copy/paste konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është vetëm përsëritje.  Për aq kohë sa procedura gjyqësore u bë me gjykim themeli dhe jo me gjykim të shkurtuar, gjykata duhet të kishte rrjedhën e saj të ngjarjeve e jo atë të prokurorisë. Ne vendim nuk citohen në pjesën hyrëse të tij argumentet e mbrojtjes, apo dhe kur bëhet analiza nga gjykata e elementeve te figurës së veprës penale, serish nuk citohen pretendimet e mbrojtjes. Një vendim i strukturuar në këtë mënyrë, nuk jep mundësinë e analizimit të tij sipas procesit gjyqësor, por vetëm sipas këndvështrimit të akuzës që është përthithur edhe si këndvështrim i gjykatës.  Në vendim nuk citohet asnjë kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e rrëzuar me vendim të ndërmjetëm nga gjykata, ku të arsyetohet edhe shkaku i rrëzimit; Një nga faktet e falsifikuara në vendimin e gjykatës është mos dorëzimi i materialit origjinal." tha Salianji.