U dhuna nga i dënuari për drogë, biznesmenja nga Lazarat rrëfen ngjarjen: Është nipi i burrit

19 Nëntor 2019, 10:17

Biznesmenja e cila u dhunua nga një i dënuar për drogë ditën e djeshme në Lazarat ka folur nga spitali duke thënë se, agresori është nipi i burrit të saj. E dhunuara, Lavdie Buzheri ka rrëfyer të gjithë ngjarjen duke thënë se agresori A.B është nipi i bashkëshortit të saj. Ajo ka thënë se në biznesin e saj ku prodhon rrjeta teli ditën e djeshme rreth orës 10:00 kishin shkuar disa persona, të cilët kishin ngarkuar në një kamionçinë materialet që ndodheshin në magazinë. Në këtë moment ajo ka shkuar për t'i kundërshtuar, por personat në fjalë ku mes tyre ka qenë edhe vëllai i agresorit, kanë mbyllur makinën dhe janë larguar.

Biznesmenja tregon se është në proces gjyqësor me personat që i  kanë marrë mallin, por sipas saj biznesi i takon vetëm asaj dhe familjes. Pasi ishin larguar personat që i kishin marrë materialet në magazinë, në vendin e ngjarjes kishte ardhur agresori, A.B i cili ka dhunuar Lavdie Buzherin.

"Mjekët mi bën të gjitha, grafitë, skopit. Vazhdoj të jem njësoj, kam dhimbje në të gjithë trupin. 48-vjeç jam. Po ngarkonin një makinë. U thash mos ngarkoni se është malli i familjes time. Kam një fabrikë që prodhoj rrjeta teli. U bëra video u thash mos ngarkoni. jam administratore, ata u futën me forcë atje. Jemi në proces gjyqësor me ta. Por ajo është forma ime, ata i morën dhe u futën me forcë. Ka disa kohë që ka ndodhur. Që në gusht ka kështu. Jam dhunuar dje nga ora 10:30. Pashë makinën atje mora telefonin dhe mora një polic privat. Dhe bëra foto. U futa brenda i thash shkarko mallin, ata nuk më dëgjuan, i thash edhe vllait të atij që më dhunoi, por ai e mbyli makinën  dhe u largua. U ula në tavolinë ku punoja dhe më vjen ai personi. E njoh është nipi i burrit." tha Lavdie Buzheri.