U emërua nga Nishani, dorëhiqet para vettingut kryegjykatësja e Durrësit, ish kolege e Argitës dhe avokate e Fazlliçit

24 Tetor 2019, 15:07

DURRËS - Jep dorëheqjen kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, pa pritur t'i nënshtrohet procesit të vettingut, 'filtrit' të kritereve profesionale, pastërtisë së figurës dhe pasurisë. 

Pas dorëqjes, procesi i vettingut pritet të ndërpritet për gjyqtaren Joana Qeleshi por ajo tashmë duhet të qëndrojë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite.

Gjyqtarja e Durrësit thotë se ka zgjedhur një tjetër sfidë, siç është ai i sektorit privat. 

“Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat. Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë Spitalit Amerikan, paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”

Pjesë nga dorëheqja e Joana Qeleshit paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor

Joana Qeleshi u emërua në krye të Gjykatës së Durrësit në vitin 2013, nga presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani, që drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion që u shkri me reformën në drejtësi dhe u zëvendësua me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në atë kohë emërimi i sja pati polemika pasi Gjykata e Durrësit është një gjykatë karriere, në të cilën nuk mund të emërohesh direkt nga Shkolla e Magjistraturës. Joana Qeleshi e nisi punën si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit më 28 dhjetor 2011, dhe vetëm 1 vit më pas u emërua kryegjykatëse. 

Më 10 shtator të vitit 2007, Qeleshi u pajis me prokurë të posaçme nga biznesmeni i përfolur serbo-boshnjak-britanik Damir Fazlliç, mik i Sali Berishës, për të bërë regjistrimin e një kompanie të tij në Qipro. Qeleshi punonte në atë kohë në studion “Kola&Associates” të avokates tjetër Flutura Kola, ish-ortake në biznes e vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi. Në atë kohë, avokatja Joana Qeleshi nuk është prononcuar asnjëherë për faktet e bëra publike atëherë.

Në mars 2017 Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi Joana Qeleshi, për shkak të një vendimi të dhënë lidhur me pronësinë e 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri. Ky i fundit, me anë të kompanisë “Omnix” kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë Deri në fillim të vitit 2016, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. Por më datë 25 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Durrësit, ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë një familje nga Durrësi.. Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që drejtohej nga Presidenti Nishani, e rrëzoi këtë kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë. 

Gjatë dominimit të KLD nga Partia Demokratike, me anë të Bujar Nishanit, Gjin Gjonit etj, Qeleshi bëri një karrierë të shpejtë në gjyqësor.

Vëllai i saj Real Qeleshi, është oficer i Policisë Gjyqëore, ndërsa babai, Arben Qeleshi, është avokat. 

Kush është Joana Qeleshi? 

Joana Qeleshi, pas përfundimit të studimeve universitare ka punuar pranë Studios Ligjore “Kola&Associates”, në pronësi të Flutura Kolës, ortakes së Argita Berishës në biznes. Pas rikthimit të Sali Berishës në pushtet, në 2005, Argita dhe Flutura Kola u kthyen nga Kosova, duke krijuar tri kompani ligjore: Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë një listë në rritje klientësh fitimprurës. Brenda pak muajsh, këto studio ligjore u kthyen në porta ku kalonin investitorë të ndryshëm, të cilët kërkonin të investonin në Shqipëri, shpeshherë me firmën e Sali Berishës. Në listën e gjatë të klientëve të profilit të lartë përfshihet edhe i famshmi Damir Fazlliç, miku i ngushtë i ish-kryeministrit Berisha, për mbrojtjen e të cilit vuri në rresht të gjitha institucionet shtetërore, madje e futi edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pra, ajo që sot është mban detyrën e kryetares së Gjykatës së Durrësit, në atë kohë, me autorizim të “Kola&Associates”, merrej me regjistrimin e kompanive të Fazlliçit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Sigurisht që nuk ka asgjë të paligjshme në punën e zonjës në fjalë, por e kaluara pranë zonjave Kola-Argita dhe Fazlliçit krijon dyshime të forta se ka ndikuar në karrierën e saj të shpejtë në sistemin e drejtësisë.