U hoq tarifa për mbetësit, Nikolla: Grup pune për tre kërkesat e tjera

6 Dhjetor 2018, 14:57

E ndërsa pranoi kërkesën e parë për shfuqizimin e pikës 4 të vendimit nr. 288 për heqjen e tarifës për studentët që kanë lëndë të mbartura, ministrja Nikolla përmes një deklarate për mediat në një dalje të dytë u shpreh se do të ngrihet një grup pune për tre kërkesat e tjera. “Është e vërtetë që kemi kohë që presim, angazhim për zbatimin e reformës në arsimin e lartë. Kjo protestë tregoi sesa pak informacion dhe komunikim kishte te studentët për gjithçka. Ndaj më shumë sesa rëndësia për heqjen e pikës 4 të VKM, kjo protestë ia vlejti për të ngjallur më shumë refleksion.

Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore që më thotë se për kërkesat 2, 3, dhe 4 të ngrihet një grup pune nga këshillat studentorë, ministria dhe studentët. Kjo është rruga e duhur për të përmirësuar gjithçka dhe një dialog me të vërteta”tha Nikolla. Tre kërkesat e studentëve për të cilat Nikolla tha se do të ngrihet grup pune janë; Përgjysmimi i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve dhe që bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord.