U largua me të dashurin, zhduket Marsela Cako nga Italia

21 Nëntor 2019, 22:39

Emisioni ’’Pa gjurmë’’ në Report TV, solli këtë të enjte historinë e një 41-vjecareje nga Fieri, e cila u zhduk nga Italia pasi emigroi që në vitin 1994, bashkë me të dashurin e saj nga i njëjti qytet. Gjatë rrëfimit në emisionin ’’Pa gjurmë’’ të nënës, një tjetër rrjedhë mori biseda në studio, kur gjatë transmetimit live mbërriti një informacion i rëndësishëm që ndezi një dritë jeshile për fieraken e humbur 12 vite më parë, Marsela Çako. Një zonjë, emigrante në Itali tregoi se 41-vjeçarja jeton në Milano të Italisë dhe se është e martuar me një shtetas italian. Zonja pretendon se njeh nga afër vajzën me emrin Marsela, e njëjta që kërkohet në emisionin ’’Pa gjurmë’’, pasi e ka takuar disa herë dhe e di mirë jetën e saj. Sipas të njëjtës dëshmi Marsela është trafikuar në Itali për shumë vite, ndërsa u strehua në një qendër tek motrat ’’Nënë Tereza’’, ku pas rehabilitimit ka nisur një jetë të re. Madje kjo dëshmi sjell edhe të dhëna të tjera, kur kjo emigrante jep detaje të shënjave dalluese të 41-vjecares, një shenjë në këmbën e majtë, të çarë me thikë pasi është plagosur pas vitit 1996, në rrethana ende të paqarta.

Pas mbërritjes së këtij informacioni, 12 vite nga humbja e çdo kontakti të familjarëve me Marselën, ngrihen dyshimet e para se ajo mund të jetë plagosur në të njëjtën ditë, kur ish-i dashuri me të cilin u largua në Itali, u vra nga bandat e Fierit për pazaret e drogës.

Stafi i’’Pa gjurmë’’ nis verifikimet, ndërsa emigrantja në fjalë, dëshmitarja kyçe, premton se do sigurojë një numër kontakti, me shpresën se ky informacion mund të çojë vërtetë në gjurmët e 41- vjecares, Marsela Çako.

Ajo u largua me djalin që dashuronte në moshën 16-vjecare drejt Italisë në vitin 1994 dhe 2 vite më pas u kthye në Shqipëri për të bërë celebrimin. Në pak kohë ajo niset sërish përtej detit ndërsa të rralla ishin komunikimet në telefon me familjen.Ajo u pohonte gjithnjë familjarëve se ishte mirë, por kurrë nuk u tregonte se pse nuk donte të kthehej në Shqipëri dhe se do të ndahej nga djali me të cilin kishte bërë celebrimin në Shqipëri. Telefonata e fundit nga Marsela u bë në vitin 2007 kur i komunikoi nënës se ndodhej në Genova të Italisë, por i duhej të rinovonte pasaportën duke i dërguar një prokurë. Pasaporta u rinovua dhe familja e nis në adresën që ajo kishte dërguar, por  që nga kjo telefonatë nuk u mësua më kurrë për fatin e Marselës, por as, nëse edhe pasaporta mbërriti në duart e saj. Familja nuk mori më asnjë informacion pasi as i fejuari i saj nuk u kthye në Shqipëri. Kohë më pas familja e Marselës mëson se ai ishte vrarë për shkak të pazareve të drogës. Frika e familjarëve është se zhdukja e vajzës së tyre ka të bëjë me fatin që pati ish-i fejuari i saj. Marsela kishte dhe një motër, vëlla gjithashtu, ky i fundit e kërkoi gjithë jetës derisa ndërroi jetë në vitin 2018, duke lënë pas nusen dhe tre fëmijë. Një tjetër tragjedi në familjen Çako pas zhdukjes së Marselës. Vëllai nuk arriti ta gjejë motrën ndërsa mbylli sytë pa mësuar për fatin e saj. Nëna Liljana dhe babai Llazer Çako jetojnë me nusen dhe tre nipërit, pasi vajza e vetme e mbetur në familje ndodhet në Gjermani.