U sorollat sa në një spital në tjetrin ndërron jetë 53 vjeçari nga Ndroqi! Ngrihet grup pune për të hetuar QSUT dhe Traumën!

25 Tetor 2020, 13:44

TIRANË- COVID-19 ka marrë vëmendjen kryesore të autoriteteve shëndetësore në vendin tonë, duke "lënë në harresë" shërbimet për sëmundjet e tjera. Por ky përqendrim i vëmendjes vetëm te virusi, ka rezultuar fatal për 53-vjeçarin nga Ndroqi, Lutfi Çekirri. Ai denoncoi në media se nuk iu dha ndihmë mjekësore nga QSUT dhe Spitali Ushtarak të cilët e "sorollatën" sa në një spital në tjetrin.

Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua e për pasojë ndërroi jetë ditën e premte, teksa sot u përcoll për në banesën e fundit. Kur kanë kaluar dy ditë nga vdekja e 53-vjeçarit, Report TV mëson se është ngritur një grup pune që po heton dy spitalet në vendin tonë.

Lidhur me këtë ngjarje ka pasur edhe një reagim nga Partia Demokratike, nëpërmjet ish- deputetes Orjola Pampuri, sipas së cilëvë ky është një tregues se situata ka dalë jashtë kontrolli, duke e quajtur këtë si një krim shtetëtor.

"Shëndetësia është në gjendje kolapsi!  Në dyert e spitaleve Covid dhe në urgjencën e QSUT-së, 24 orët e fundit kanë qenë dramatike! Situata është totalisht jashtë kontrollit, shtretërit janë drejt ezaurimit, shërbimi është në ditët e tij më të këqija dhe pacientët po lihen në rrugë.  Lajmi tragjik i humbjes së jetës së një babai 53-vjeçar pas 3 ditëve sorollatje të kota nëpër dyert e spitaleve, është klithma e alarmit! I pashpresë, i rropatur dhe i drobitur, Lutfiu i ndjerë përcolli dhimbjen dhe emergjencën e situatës disa ditë me radhë edhe në media. Fatkeqësisht, zëri i tij i lodhur nga vuajtja ra në vesh të shurdhët. Ai nuk mundi të kurohej, duke lënë pas familjen e tij. Vdekja e Lutfi Çekirit nuk është thjesht një humbje jete rutinë. Është një krim shtetëror.  Përgjegjësia për këtë jetë të humbur është e qeverisë së të paaftëve dhe të pandjeshmëve! Kjo situatë e paprecedentë ka shqetësuar dhjetëra mjekë dhe familjarë të pashpresë, të cilët na kanë telefonuar dhe na kanë bërë me dije se pacientët me Covid-19 janë drejtuar për te Urgjenca, pasi spitali Infektiv është i tejmbushur. Kjo është e pafalshme! Kjo është alarmante!  Kjo qeveri e paskrupull, e cila edhe në momentet më të vështira, nuk u përgjigjet qytetarëve, por vijon aferat korruptive dhe tenderat sekretë. Pasojat e kësaj papërgjegjshmërie dhe paaftësie ulëritëse janë ata njerëz të zakonshëm si Lutfiu i ndjerë, që e pësojnë me jetë indiferencën, arrogancën dhe zhvatjen e kësaj qeverie", tha Pampuri.