U zhduk para 10 muajsh pas zënkës me babanë, Pa Gjurmë gjen 21 vjeçarin!

22 Nëntor 2019, 17:51 | Përditesimi i fundit: 2019-11-23 07:05:45

TIRANE- Pas denoncimit që erdhi pak ditë më parë në emisionin “Pa Gjurmë”, 10 muaj nga humbja e kontakteve me familjarët e 21-vjeçarit Panjot Dolorezi, nga Londra, mbërrijnë foto ekskluzive që tregojnë transformimin e tij.

Pas publikimit të këtij lajmi reagime të shumta mbërritën në adresë të emisionit Pa gjurmë por edhe në Shqiptarja. com. Emigrantët shqiptarë zbuluan edhe vendndodhje  e 21-vjecarit, Panajot Dolorez. Stafi i emisionit “Pa Gjurmë” dhe bashkëpunëtorët tanë në Angli nisën menjëherë verifikimin mbi vërtetësinë e këtyre informacioneve.

Fotoja e shfaqur për herë të parë në emisionin ''Pa gjurmë'' tregon gjendjen aktuale të të riut, i cili prej kohësh jetonte si endacak në rrugët e ‘British Museum’, në Londër .  I ndodhur në gjendje të mjerueshme, Panajoti ka kohë që ka rënë pre e lëndëve narkotike, fakt për të cilin flasin dhe dëshmitë që erdhën në ''Pa gjurmë''.

Panajot Dolorezi, 21 vjeçari që endej shpesh si endacak rrugëve të Londrës, humbi kontaktet me familjen ne 14 Janar të vitit 2019. Me dëshirën për të jetuar i pavarur, Panajoti Dolorezi, shkaktonte shumë probleme në familje, zënka, e deri te largimi i herë pas hershëm nga banesa.

 Pas një zënke të fortë me babain e tij, ai u largua përfundimisht nga shtëpia, që nga  Tetori i vitit 2017. Babai,Vasil Dolorezi, e gjente shpesh herë rrugëve  si endacak, pasi kalonte disa kohë që nuk kthehej në shtëpi.  Para se të humbte kontaktet, Panajoti, i kishte treguar babait se kishte punuar në një lokal, me pronar shqiptar dhe se ishte larguar me debat nga ai vend pune.