Uashington/Nënshkruhen marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë! Trump në tryezë me Hotin dhe Vuçiç

4 Shtator 2020, 19:12

Delegacioni i Kosovës është nisur për në Shtëpinë e Bardhë aty ku do të mbahet takimi me presidentin amerikan Donald Trump dhe atë serb, Aleksandër Vuciç

Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka pranuar që të deklarohet para mediave pas daljes nga hoteli nga ku edhe është nisur për në Shtëpinë e Bardhë.

Pas lajmeve për përplasje dhe për mundësinë e daljes së AAK’së nga koalicioni, për në Shtëpi të Bardhë është nisur edhe Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Gazetat kosovare raportojnë se tashmë janë zgjidhur mosmarrëveshjet në mes të partnerëve të koalicionit.

Më herët ishte njoftuar se përfaqësuesit e AAK në delegacion nuk do të merrnin pjesë në bisedime.

Kosova Press, e cila citon analistin Imer Mushkolaj,  i cili së bashku me mediat po qëndron në Uashington, ka shkruar se delegacioni po vonohet të niset drejt Shtëpisë së Bardhë pasi pjesa e delegacionit të AAK-së së Ramush Haradinat nuk pranon të shkojë…

“Pjesa e AAK’së kundërshton marrëveshjen dhe nuk pranon të shkojë”, ka shkruar ai.

Sot, Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të nënshkruhet sot  në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan Donald Trump, pritet të takohet gjatë ditës së sotme me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilët do të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi me ta si edhe në një takim trepalësh.  

Pas ditës së parë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se gjatë takimit, ishin paraqitur projekt-propozime që përfshinin njohjen e ndërsjellë dhe se ai e kishte refuzuar. Kryeministri Avdullah Hoti nuk u përgjigj për këtë çështje por veçoi se një “marrëveshje të dëmshme e të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk ka ardhur dhe nuk do të vijë nga Shtëpia e Bardhë”.