Partia Demokratike ka vijuar akuzat në drejtim të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në një konferencë për mediat nga selia blu, deputeti demokrat Gent Strazimiri, ka thënë se Balla hesht dhe nuk jep shpjegime lidhur me paratë që sipas PD, Balla ka shpenzuar për udhëtime me Charter me biznesmenin e dënuar për trafik droge, Edmond Bego. Strazimiri ka thënë sot se opozita nuk do të bëhet fasadë e qeverisë.
Deklarata e plotë:
As në Bruksel, as në Tiranë, opozita nuk ka për të luajtur teatrin që i duhet Edi Ramës, për t’u bërë fasada e pushtetit absolut të krimit të organizuar.
Taulant Balla u vetëshpall njeriu i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por krahu i djathtë i Edi Ramës nuk ka dhënë akoma asnjë përgjigje për 57 udhëtimet në Europë me Edmond Begon, mikun e tij trafikant ndërkombëtar droge.
Taulant Balla, i cili jep opozitës leksione europianizmi, nuk ka shpjeguar akoma se ku i ka gjetur lekët për të udhëtuar me charter bashkë me Edmond Begon. Ligji e ndalon Taulant Ballën të marrë dhuratë mbi 100 mijë lekë, ndërkohë që 1 udhëtim me charter kushton të paktën 30 mijë euro.
Taulant Balla nuk u ka thënë shqiptarëve sesi Edmond Bego ka marrë të paktën 14 milionë euro nga tenderat dhe punët publike, pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge të marrë pjesë në tendera publikë. Vetëm 3 nga tenderat që Edmond Bego ka marrë gjatë këtij viti janë në zonën elektorale të Taulant Ballës.
Taulant Balla, nën akuzë publike për pastrimin e 3.4 milionë eurove të dërguara me Toyota Yaris, nën akuzë publike për praninë e tij në kërcënimin me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut, është fytyra më e papërshtatshme për të përfaqësuar në Bruksel aspiratën europiane të shqiptarëve të ndershëm.
As në Bruksel, as në Tiranë, opozita nuk ka për të luajtur teatrin që i duhet Edi Ramës, për t’u bërë fasada e pushtetit absolut të krimit të organizuar.
PD prej një jave akuzon kryetarin e grupit të PS, Taulant Balla se ka udhëtuar mbi 18 herë me avionë charter me Begon. Deputeti Ervin Salianji, është paditur nga Balla i cili kërkon një dëmshpërblim prej 1 milionë lekë të reja.