'UEFA ka dhënë miratimin për Arenën Kombëtare', Dervishaj: Të dielën inspektorët vijnë për 'dorën e fundit'

6 Nëntor 2019, 19:42

Ditët e fundit spekulimet për stadiumin Arena Kombëtare kanë qenë të pafund, por më e rëndësishmja ka të bëjë nëse do të luhet apo jo ndeshja kualifikuese me Francën, për të cilën biletat janë drejt fundit. Për të shuar dilemën ‘report tv’ kontaktoi me Arben Dervishajn, shefin e infrastrukturës në FSHF dhe personin që ka ndjekur nga themelet ndërtimin e impantit të ri.

Ndryshe nga cfarë thuhet, Dervishaj, bëri të qartë se UEFA e ka dhënë miratimin e saj që sfida e 17 nëntorit të luhet në Arenën Kombëtare. Sipas Dervishajt të enjten e kaluar disa inspektorë të UEFA panë nga afër të gjithë ecurinë dhe dhanë miratimin e tyre, me kushtin që të bëheshin disa ndryshime të vogla, që më së shumti kishin të bënin me dhomën e kontrollit.

Gjatë këtyre ditëve ai problem është rikuperuar dhe sipas Dervishajt inspektorët e UEFA janë vënë në dijeni. Ata do të jenë të dielën në Arenën Kombëtare kur të kryhet edhe ndeshja testuese mes Apolonisë dhe Vllaznisë.

Përsa i përket detajit që Arena Kombëtare nuk rezulton si stadiumi pritës për ndeshjen Shqipëri-Francë në faqen e UEFA-s, Dervishi tha se së shpejti do të rregullohet edhe kjo pjesë, pasi deri vonë ka patur skeptikë edhe në institucionin më të madh të futbollit në Europë.