Ujësjellës Kanalizime Durrës: Gati dy investime të rëndësishme

21 Qershor 2019, 18:17 | Përditesimi i fundit: 2019-06-21 18:34:55

Ujësjellës Kanalizime Durrës pritet të marrë në dorëzim dy investime mjaft të rëndësishme që lidhen lidhen me sektorin e ujit të pijshëm dhe rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura. Sapo kanë përfunduar në masën 100 përqind punimet për ujësjellësin e ri dhe tashmë Durrësi po furnizohet me ujë nga burimi i ri që gjendet në Fushë Milot, 65 km larg. Investimi tjetër lidhet me rrjetin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza, i cili nis nga zona e Currilave dhe përfundon tek impianti i trajtimit në Shënavlash. Ky investim është pothuajse në përfundim dhe brenda qershorit përfundojnë të gjitha punimet.

Ujësjellësi i ri 
Ndërtimi i ujësjellësit të ri është investimi më i rëndësishëm i kryer në 30 vitet e fundit në Durrës. Ai pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të qytetit, pasi me burimin e ri sigurohet tre herë më shumë ujë, sesa sillte ujësjellësi i vjetër nga burimi i Fushë Kuqes. Sipas projektit, janë ndërtuar 7 puse prodhimi me kapacitet total 630 litra ujë në sekondë në Fushë Milot. Gjithashtu është ndërtuar edhe rezervuari me kapacitet 1400 m³ dhe stacioni kryesor me kapacitet pompimi 630 litra/sek. Mënyra se si është konceptuar mbërritja e ujit nga puset deri në Durrës është e tillë: Nga 7 puset që janë hapur me prurje 105 litra në sekondë secili, njëri do të jetë rezervë. Ata do e dërgojnë ujin 10 km larg, pranë hidrovorit në fshatin Adriatik të Kurbinit, ku gjendet stacioni i pompave dhe depoja kryesore.

Nga këtu uji pompohet me anë të 6 pompave, ndërkohë që dy pompa do jenë gjithmonë rezervë, drejt depos së Bizës e cila ka kapcitet 700 m3 dhe gjendet në një distancë prej 14.5 km larg nga stacioni i pompave dhe lartësi 186 metër mbi nivelin e detit. Nga kjo depo deri në Durrës, në një distancë prej 36 km, uji do të mbërrijë me rrjedhje të lirë. Tubacioni që shërben për transmetimin e ujit nga burimi deri në Durrës është me diametër 700 mm dhe në total është shtruar 65 km tubacion i tillë. Për të mundësuar lidhjen e tubacionit të ri është projektuar ndërtimi i rrjetit të ri që furnizon zonën e ish Kënetës me tubacion 300 mm, një tjetër tubacion 300 mm që do të furnizojë zonën e Porto Romanos si dhe zëvendësimi i dy linjave ekzistuese që furnizojnë tre depot kryesore të qytetit me linja të reja me dimension 500 mm. Projekti për ujësjellësin e ri ka vlerën 41.3 milion euro dhe është investim i qeverisë shqiptare me kredi të Bankës Botërore.