TIRANË- Ujësjellësi i Tiranës u ka bërë apel qytetarëve që të mos humbasin më kohë, por të bëjnë llogaritjen e taksës së ndërtesës për ndërtesat e tyre. Përllogaritja mund të bëhet në çdo pikë të UKT-së, ku ofrohet mbështetja nga specialistët e ujësjellësit, duke plotësuar saktë vetëdeklarimin. Afati për kryerjen e vetëdeklarimit është 15 shtatori 2019. “Vetëm në këtë mënyrë do të taksoheni drejtë për sipërfaqen dhe vlerën e saj” njofton UKT.
Ligji
Në Paketën Fiskale 2018 u përfshi për herë të parë ndryshimi i formulës së taksimit të ndërtesave, që më parë dallonte vetëm ato të ndërtuara para 1993-shit, ku u krye privatizimi masiv i banesave shtetërore, me ato të ndërtuara pas atij viti. Ligji parashikonte hyrjen në fuqi të pagesës së taksës së re nga 1 prilli 2018, por kjo nuk u bë e mundur pikërisht pasi kërkohej një punë shumë voluminoze për të llogaritur vlerën reale të çdo shtëpie e kjo bëri që realizimi të shtyhej për vitin e ardhshëm.
Familjet do të paguajnë një shumë prej 0.05% të vlerës së njohur të shtëpisë, ku sërish vlerat e banesave të para 1993-shit do të merren me zbritje 30%. Kurse për bizneset kjo taksë është sa 0.20% e vlerës së objektit që përdorin për qëllime tregtare. Vlera e taksës do të faturohet në faturën e ujësjellësve e kështu do të jetë titull ekzekutiv.
