Uji pushton shtëpitë, drita dhe ujë nuk ka, anulohen disa fluturime nga stuhia

24 Shtator 2019, 20:20

Reshjet e dendura të shiut me erë të fortë dhe stuhi kanë shkaktuar përmbytje të shumta në disa qytete dhe bllokime të rrugëve. Në Fushë- Krujë janë shkaktuar problemet më të mëdha, pasi shumë fshatra janë përmbytur si pasojë e daljes së lumit nga shtrati dhe vërshimit në banesa, biznese dhe tokën bujqësore.

Probleme ka edhe në Lezhë dhe Laç, ku pas përmbytjes, tani qyteti është pushtuar nga balta. Në disa zona në Tiranë uji ka depërtuar brenda banesave. Nga përmbytjet në orët e para të mëngjesit dhe paradites pati probleme të shumta në disa akse kryesore, por situata u normalizua. Aktualisht probleme ka vetëm në disa zona rurale me qarkullimin. Në Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Vorë dhe Tiranë ka probleme me ujin e pijshëm.

Defektet në furnizimin me energji elektrike janë ndër problemet më të mëdha, pasi shumë zona në Tiranë, Durrës dhe Burrel janë më të prekura. Për shkak të motit të keq u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime ndërsa u anuluan 2 fluturime. Po për shkak të motit të keq janë devijuar edhe 6 fluturime.

Meteorologia Adiola Bani qetëson të gjithë qytetarët teksa shprehet në një lidhje telefonike për Report Tv se nuk do të ketë më reshje të dendura shiu dhe nga pasditja e sotme moti do të jetë i kthjellët dhe kështu do të vijojë deri në fund të shtatorit.