Ulet numri i të punësuarve në sektorin privat e bujqësor! Gjatë muajve korrik-shtator 28 mijë punonjës më pak

23 Dhjetor 2020, 22:34

Pavarësisht se gjatë muajve të verës numri i të papunëve u ul dy sektorët më të goditur ai privat dhe bujqësia shënuan një numër të lartë të shkurtimesh të të punësuarve rreth 28 mijë.

Bazuar në të dhënat e INSTAT në periudhën korrik-shtator papunësia ishte 11.6% nga 11.9% që ishte në periudhën prill-qershor 2020. Por pavarësisht këtij përmirësimi janë mbi 28 mijë qytetar më pak se në të njëjtën periudhë të 2019 të punësuar në sektorin privat dhe atë bujqësor. Konkretisht janë mbi 17 mijë qytetar më pak të punësuar në sektorin bujqësor, i cili rezulton të jetë më i prekuri nga situata e krijuar dhe mbi 10 mijë më pak në atë privat. Pro kjo shifër është disi e çuditshme sepse sektori bujqësisë nuk është bllokuar nga pandemia.

Luhatjet në tregun e punës janë të dukshme edhe kur analizon të dhënat administrative, ku rezulton se janë 21 mijë qytetar që janë regjistruar si punëkërkues më shumë se në periudhën janar-mars 2020. Nëse në tremujorin e parë të vitit ishin 67,120 persona që kërkonin punë, pas karantinës ishin 88,393 persona të regjistruar si punëkërkues.

Për të eliminuar pasojat e pandemisë në tregun e punës, Ministria e Financave hartoi programin e ri-punësimit për personat që kanë dalë të papunë , duke ju garantuar pagën minimale dhe pagesën e kontributeve.