Ultimatumi i Kim/ Mblidhet sot KED, miraton listën përfundimtare të kandidatëve për 'Kushtetuesen'

14 Dhjetor 2020, 14:18 | Përditesimi: 14 Dhjetor 2020, 14:18

Këshilli e Emërimeve në Drejtësi mblidhet ditën e sotme dhe në rend dite ka diskutimin dhe votimin e listës përfundimtare të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese. Në mbledhjen e zhvilluar para 3 ditësh sa i takon ngritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, KED ka vendosur lejimin e kandidatit të Përparim Kalos për kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.Por nga ana tjetër ka vendosur ndalimin e kandidimit të Klajdi Mones për vakancën e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese. Mones sipas KED i është ndaluar kandidimi pasi ka patur mangësi të kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se pasi të miratohet lista e kandidatëve ajo do ti kalojë Parlamentit dhe më pas Prsidencës. "Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të vijojë mbledhjen e sotme, për ditën e hënë, datë 14.12.2020, në të cilën do të shqyrtohet pika e fundit e rendit të ditës: diskutimi dhe miratimi i listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës, të cilat do të dërgohen më pas pranë organit të emërtesës", thuhet në njoftimin e bilancit të mbledhjes së para 3 ditëve. Ky vendim i KED për të miratuar listën finale vjen pas ultimatumit të dhënë nga ambasadorët, konkretisht nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim e cila ka përsëritur thirrjet për të bërë funksionale brenda këtij viti Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka theksuar se nuk duhet të pritet derisa BE të marrë një vendim.

b.ha./Shqiptarja.com