Pavarësisht anulimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti Meta, palët janë ende në ekstreme të kundërta, me opozitën që sonte do të zhvillojë protestën e radhës, të nëntën kombëtare dhe shumicën që shprehet e vendosur për zhvillimin e procesit të 30 Qershorit.
Presidenti Meta dje bëri thirrje sërish për dialog mes palëve e njëkohësisht shprehu gatishmërinë për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë. Por, kryeministri Edi Rama në një intervistë për Radio Europa e Lirë, tha se demokracia dhe 30 Qershori nuk negociohen.
"Unë kam insistuar, kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. Demokracia dhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën nuk mund të negociohen, gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme" tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje me 30 qershor, edhe pse opozita dhe presidenti Ilir Meta thonë se mbajtja e tyre është anuluar. "Ata që po përpiqen të pengojnë zgjedhjet luajnë me zjarrin. Cdo problem i kujtdo me zgjedhjet adresohet në gjykatën zgjedhore".
Rama tha se kriza politike mund ta pengojë negociatat në tetor. "Rreziku që ky plan anti kombëtar është real, pasi në fund të fundit, e gjithë kjo nuk ndihmon ata që duan të na ndihmojnë dhe ushqen ata që nuk duan të na ndihmojnë, por ne përpjekjen do ta bëjmë deri në fund".
Kreu i PS-së, foli edhe për përgjimet e publikuara nga Bild. "Përgjimet janë kthyer në ushqim për të helmuar njerëzit dhe ndërkombëtarët në prag të çeljes së negociatave" tha ai.