PDIU bashkon votat me PS, miratohet buxheti i Bashkisë së Tiranës, rritje me 12%

21 Dhjetor 2018, 17:52 | Përditesimi i fundit: 2018-12-21 23:44:57

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar të premte buxhetin për vitin 2019, që do të fokusohet në infrastrukturë rrugore, banesa sociale, shkolla e kopshte, pastrim e gjelbërim. Me mbi 31 vota të Partisë Socialiste dhe PDIU-së, Këshilli Bashkiak miratoi buxheti që do të jetë 12% më i lartë se vitin e kaluar dhe parashikon një sërë investimesh të rëndësishme që pritet të sjellin një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturë dhe në shërbime për qytetarët.

Investimet në buxhetin 2019 parashikojnë një sërë projektesh strategjike si: 1) Shkollat e Reja 2) Tirana Policentrike 3) Vazhdimi Bulevardit të Ri dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës 4) Pylli Orbital 5) Rrjeti Minimal i Bicikletave 6) Kopshti Zoologjik 7) Terminalet e Transportit Rijetëzimi i Piramidës.

Ndërkohë plot 1104 familje nga Tirana do të kenë mundësi që përmes programit të kredisë së butë të sigurojnë një shtëpi duke i dhënë zgjidhje strehimit të tyre. Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se mes përfituesve janë edhe disa prej familjeve të zonës së Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re.

Ekonomia jo vetëm e vendit por kryesisht e Tiranës si motorr ekonomik po rritet me shifra të kënaqshme. Ne kemi parashikuar një rritje me 12%.  Nëse ne e realizojmë rritjen e të ardhurve, sic e kemi realizuar këtë vit me 100%  rritjen e të ardhurve, kemi treguar se kemi vepruar si një familje një koqire. Vërtetë nuk rriten taksat, por rritet baza.

Erjon Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij hodhi poshtë denoncimet e Partisë Demokratike për projektin e “Unazës së Madhe”, sipas të cilës Bashkia i ka dhënë leje ndërtimi për një projekt rezidence biznesmenit të akuzuar për trafik droge, Edmond Bego.

Po ka një të tillë që Erion Veliaj ka dhënë këtë leje, unë iki nga Bashkia e Tiranës dhe jap dorëheqjen, në të kundërt, kam frikë se do të shkojë në Prokurori.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 

Këshilltarët e opozitës bojkotuan mbledhjen, ndërsa jashtë bashkisë ishin mbledhur për protestuar banorë që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha më tej se ndryshe nga cdo vit tjetër, buxheti është siguruar 100% nga të ardhurat e bashkisë, ndërsa sa i përket sjelljeve të pahijshme që do të dënohen në publik, Veliaj theksoi se janë masa që janë marrë në çdo qytet të botës, dhe që synojnë trajtimin e fenomeneve të papranueshme nga shoqëria.