Unaza e Madhe/ Tension në Laprakë, policia nxjerr familjen, IMT shemb banesën

4 Dhjetor 2018, 16:01

TIRANE-IMT vijon prishjen e banesave në Shkozë dhe në Laprakë në kuadër të projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe. Sot ka pasur momente tensioni, fillimisht në mëngjes në Shkozë, ndërsa në mesditë në Laprakë ku një familje kundërshtoi shembjen e banesës dykatëshe duke u ngujuar brenda, por policia i nxori me forcë duke e shembur.

Kryefamiljari Bajram Nela u shpreh se do të vetëflijohet nëse shtëpia do të shembet, ndërsa gruaja akuzoi se policia ushtroi dhunë psikologjike. Familja Nela nuk banonte në këtë godinë, pasi e kishte dhënë me qira katin e parë dhe të dytë. Kryefamiljari Nela ka qenë ish-zyrtar i Pronave në kohën e PD, ndërsa ka një tjetër banesë dhe biznes (lexo këtu).

Deputeti i PD, Klevis Balliu u ka bërë thirrje banorëve që të marrin shembull nga Franca dhe të ngrihen në protestë, ndërsa sot janë lajmëruar dy tubime, në 15:00 në Shkozë dhe në 17:00 në Astir, si cdo ditë.